Vjosa Osmani merr zyrtarisht detyrën e presidentes nga këshilltari i Thaçit

schedule14:58 - 5 Nëntor, 2020

schedule 14:58 - 5 Nëntor, 2020

Vjosa Osmani është emëruar zyrtarisht spresidente e Kosovës, pas dorëheqjes së Hashim Thaçit. Lajmi është bërë e ditur përmes një njoftimi për media.

Në njoftim thuhet se detyrën e ka marrë nga stafi i presidencës, ndërsa njoftohet se Osmani do t’i drejtohet sot qytetarëve në orën 17.00.

Njoftimi

“Dr.Vjosa Osmani zyrtarisht merr funksionin e u.d. të presidentes së Kosovës Në përputhje me obligimet kushtetuese, pas dorëheqjes së presidentit të vendit z.Hashim Thaçi, Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, dr.Vjosa Osmani, sot ka marrë zyrtarisht funksionin e u.d. të presidentes së Kosovës. Ceremonia e pranim- dorëzimit është bërë në prezencën e stafit të Presidencës dhe kryetares së Kuvendit të Kosovës. U.d. e presidentes do t`i drejtohet sot qytetarëve me një adresim në orën 17:00.”

Hashim Thaçi dha dorëheqjen nga posti i Presidentit të Republikës së Kosovës duke e lënë bosh atë pozicion. Tani, siç përcakton edhe Kushtetuta, do të jetë kryeperlamentarja Vjosa Osmani ajo që ushtron detyrën e Presidentit.

Sic e parasheh Kushtetuta e Kosovës, nëse Presidenti largohet nga zyra e tij brenda mandatit, atëherë kompetencat e tij i kalojnë kryeparlamentares.

Kushtetuta e Kosovës e saktëson se si zgjidhet presidenti i shtetit. Sipas nenit 86, presidenti zgjidhet në Kuvend të Kosovës, me votim të fshehtë.

Në këtë pozitë mund të nominohet si kandidat, ai apo ajo që siguron nënshkrimet e të paktën 30 deputetëve të Kuvendit, derisa saktësohet se deputetët e Kuvendit mund të nënshkruajnë vetëm për një kandidat për president.

Zgjedhja e kreut të shtetit bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve.

“Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjidhet President i Republikës së Kosovës. Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh”, saktësohet në Kushtetutë, në nenin që flet për zgjedhjen e presidentit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!