Hashim Thaçi, kreu i shtetit të Kosovës dhe kryeministri Haradinaj dënuan ashpër vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviç. Por Haradinaj ka kërkuar që Serbia të mos përdorë ngjarjen për të bllokuar bisedimet mes dy vendeve.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka kërkuar zbardhjen sa më të shpejtë të vrasjes së politikanit serb në veri të Mitrovicës, Oliver Ivanoviç. Në një postim në profilin e tij në Facebook ai dënoi ashpër vrasjen e kryetarit të Iniciativës Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi” në veri të vendit. Thaçi i bëri apel forcave të policisë që të vendosin para drejtësisë autorët e krimit. Kreu i shtetit kosovar kërkoi dhe bashkëpunimin e qytetarëve në veri të Mitrovicës për të ndihmuar në hetime.
Dhe kryeministri i Kosovës Haradinaj reagoi duke dënuar vrasjen e Ivanoviçit dhe premtoi se autoritetet kosovare do të bëjnë çdo gjë për zbardhjen e vrasjes. Por Harainaj theksoi se është e palogjikshme që Serbia të bllokojë dialogun mes dy vendeve dhe vrasja e sotme të përdoret për politika ditore.
Sipas kryeministrit, shfrytëzimi i këtij akti tragjik për qëllime të politikës ditore, madje edhe për të bllokuar proceset që për qëllim kanë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, është kundër logjikës dhe frymës së bashkëpunimit. /abcnews.al