Thaçi dekreton datën: Kur do të jetë seanca e parë e Parlamentit të ri të Kosovës

schedule17:56 - 11 Dhjetor, 2019

schedule 17:56 - 11 Dhjetor, 2019

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dekretoi të mërkurën thirrjen e Mbledhjes së Parë të Legjislaturës së Shtatë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e cila do të mbahet me datën 24 dhjetor 2019, në orën 9:00 të mëngjesit.

Vendimi i presidentit erdhi pas certifikimit të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit, në të cilat, Lëvizja Vetëvendosje doli e para, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Udhëheqësit e dy partive, Albin Kurti dhe Isa Mustafa po takohen sonte në mjediset e Kuvendit të Kosovës, për të diskutuar arritjen e marrëveshjes për koalicionin qeverisës dhe ndarjen e posteve në ekzekutiv.

Mbetet të shihet nëse takimet do të vazhdojnë, apo do të arrihet më në fund marrëveshja për qeverinë para seancës së parë të parlamentit të ri. Qeveria e re do të ndeshet me sfida të rënda gjithsesi, përfshi dialogun me Serbinë, ndërkohë që nga BE nuk ka lajme të mira për liberalizimin e vizave.

Kosova duhet të bëjë përparim në fushën e sundimit të ligjit për të marrë dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave, tha po të mërkurën ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie-Christine Butel. Ambasadorja tha për gazetën Express se  zbatimi i vazhdueshëm i reformave nga autoritetet e Kosovës është thelbësor në mënyrë që ligjet e miratuara për forcimin e sundimit të ligjit dhe drejtësisë, në veçanti, të mund të zbatohen në mënyrë të qëndrueshme dhe të pakthyeshme./abcnews.al