“Tha njëri s’e gjeta në Google,” Rama për kryenegociatoren e re: Pa njerëz si ajo administrata jonë s’do funksiononte dot

schedule10:45 - 30 Korrik, 2022

schedule 10:45 - 30 Korrik, 2022

Në një konferencë për mediat me ekipin e negociatave, kryeministri Edi Rama tregoi edhe detyrat që do të ketë kryenegociatorja e re Majlinda Dhuka dhe ekipi që ajo do të drejtojë. Kreu i qeverisë kujtoi se “dëgjoi një person” që e kërkoi zonjën Dhuka në Google dhe nuk pati asnjë rezultat.

Sipas Ramës, janë pikërisht këta njerëz për të cilët nuk flitet shumë, pa të cilët administrata nuk do të funksiononte dot.

“Tha njëri e kërkova në Google dhe se gjeta, kjo është arsyeja pse ka një ndryshim themelor. Ka shumë njerëz në administratën tonë s’i gjen në Google por pa të cilët administrata jonë nuk do të funksiononte dot. Janë pjesë e palcës së shtetit shqiptar. Njerëz që mund të jenë në zyra qysh prej fillim viteve ’90 dhe i kanë shërbyer shtetit me përulësi. Janë njerëzit si ajo që kanë bërë pjesën e tyre të punës…Kjo është e gjitha..”

Kujtojmë se Rama i njoftoi mëngjesin e së hënës ndryshimet në kabinetin qeveritar “në një kohë kur prioritet për vendin janë negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.” Arben Ahmetaj u zëvendësua nga Belinda Balluku e cila është edhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. Një tjetër i larguar ishte edhe  Zef Mazi, i cili u pasua nga Majlinda Dhuka që do të jetë kryenegociatore dhe Ministre e Shtetit pranë Kryeministrit. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!