Teuta synon kualifikimin për në Ligën e Europës

schedule21:22 - 17 Dhjetor, 2018

schedule 21:22 - 17 Dhjetor, 2018

Objektivi i Teutës këtë sezon është kualifikimi për në Ligën e Europës. Këtë e pohon presidenti i saj, Edmond Hasanbelliu.

Për momentin, është padyshim më e mira e Superligës. Më shumë mjaftoi dueli i fortë me Partizanin sesa fitorja e përfolur ndaj Kastriotit, që Teuta të cilësohet si një nga pretendentët krysore të këtij kampionati. Skuadra durrsake, edhe pse një projekt fare i ri, edhe pse e drejtuar nga një trajner me shumë pak përvojë si Bledi Shkëmbi, e ka nisur dhe po e vazhdon me këmbën e mbarë këtë sezon. Presidentit të saj, një njeri që flet rrallë për mediat si Edmond Hasanbelliu, iu drejtuar një pyetje e drejtpërdrejtë. Cilat janë synimet e tij për fundin e edicionit?

“Teuta në Kupat e Europës. E kemi thënë që në fillim këtë. Më tepër kënaqësi e madhe është, të dalim dhe kampionë. Nuk e di”, u përgjigj Hasanbelliu.

Vështirë të thuhet se përse klubi durrsak herë lufton për të mbijetuar në Superligë, dhe përse herë të tjera është për në Europë. Teuta ka qenë shpesh pjesëmarrëse e kupave të Europës dhe askush nuk do të çuditej nëse do t’ia dilte sërish të kualifikohej. Ndërkaq, siç është normale në Shqipëri, ka zëra që thonë se pretendimet e klubeve të ndryshëm janë deklaruar që në fillim të sezonit, dhe kjo nënkupton edhe që këto dëshira duhet të plotësohen. Sido që të jetë, Teuta ia ka arritur të ndërtojë një skuadër vërtet të mirë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!