Tetova: Kukësin e kemi lënë pas, mungesat shqetësimi ynë i vetëm

schedule12:19 - 19 Shkurt, 2021

schedule 12:19 - 19 Shkurt, 2021

Tirana pret Teutën nesër në stadiumin “Selman Stërmasi”, ndërkohë që para mediave ka dalë Edlir Tetova. Ish-mesfushori i durrsakëve tani është krahu i djathtë i Orges Shehit, i cili është izoluar pas shfaqjes së shenjave të COVID-19. Fillimisht Tetova u pyet për gjendjen e trajnerit të kampionëve në fuqi.

“Orges Shehi është i izoluar dhe do të kthehet shumë shpejt në ekip. Kaq mund të them për momentin”, tha Tetova, i cili më pas e spostoi temën e bisedës te dueli me durrsakët. “Teuta është një ekip që ka bërë mirë gjatë këtyre viteve, sidomos kampionatet e fundit. Sigurisht edhe këtë sezon po bën mirë.

Do të përpiqemi të bëjmë maksimumin. Djemtë janë paraqitur shumë mirë në stërvitje dhe ne presim që ata të bëjnë më të mirën në fushën e lojës. Çdo gjë do t’ia lemë fushës, ditën e ndeshjes”, shtoi zëvendëstrajneri i bardhebluve.

A ka ndikuar disfata me Kukësin te Tirana? Tetova përgjigjet kështu: “Nuk ka ndikuar aspak në gjendjen psikologjike të skuadrës, sepse lojtarët ishin të ndërgjegjshëm që bënë mirë atë ndeshje, thjesht te pjesa para portës duhet të ishin më konkretizues për të shënuar golin.

 

U ndëshkuam nga një episod, kështu që, themi që të bëjmë përpara dhe të vazhdojmë punën siç kemi vazhduar këtë javë për të pritur ndeshjen e radhës. Ai është një kapitull i mbyllur dhe ne duhet të shikojmë përpara. Në lojë janë edhe 51 pikë, që janë gati gjysma e kampionatit, kështu që ne kemi objektiv ndeshjen e radhës. Shpresoj t’ia dalim mbanë”.

Në lidhje me mungesat, Tetova shtoi: “Patjetër që mungesat janë shumë të rëndësishme. Torasa vuan dëmtimin e gjurit akoma. Shpresojmë, që me ndihmën e mjekëve nga java tjetër të fillojë stërvitjen. Është mungesa e Najdovskit, i cili ka rezultuar pozitiv me COVID, dhe Danso me 4 kartonë të verdhë. Grupi tjetër i lojtarëve që është paraqitur në stërvitje ka punuar maksimalisht, shpresoj t’ia dalim sa më mirë”.

Kundër Teutës është një ndeshje ndryshe edhe për Tetovën, pasi aty ka luajtur për pjesën më të madhe të karrierës: “Ne bëjmë pjesë te kjo lloj pune. Sot jemi këtu, nesër jemi atje. Sigurisht, është ekipi i qytetit tim, por unë do të bëjë më të mirën për Tiranën. Kjo është puna ime si profesionist”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!