Tetori muaji i sensibilizimit për kancerin e gjirit, marshim në Tiranë

schedule22:47 - 8 Tetor, 2019

schedule 22:47 - 8 Tetor, 2019

Mbi 700 gra në vit zbulojnë që janë prekur nga kanceri i gjirit. Tetori prej vitesh është muaji i sensibilizimit të grave, për kontrolle mjekësore, që të mundësojnë kurimin në kohë të sëmundjes. Këtij qëllimi i shërbeu dhe një marshim në Tiranë.

Kjo është Hajria. Tashme është pensioniste, por më parë ka qenë infermiere. Përvojën e kaluar personalisht me kancerin e gjirit kërkon ta bëjë shembull, duke sensibilizuar gratë të kontrollohen për të diagnostikuar në kohë këtë sëmundje dhe për ta luftuar me sukses atë.

Tetori është muaji i sensibilizimit për luftën kundër Kancerit të Gjirit. “YWCA of Abania” ka zhvilluar për 11 vite radhazi fushatë ndërgjegjësimi, që ndihmon në rritjen e vëmendjes, zbulimin dhe trajtimin e hershëm, si dhe kujdesin për këtë sëmundje.

Një  marshim nën moton “Ejani të ecim së bashku për fjongon rozë” u zhvillua edhe këtë Tetor, me praninë e grave politikane, diplomatë, por edhe dhjetëra grave e vajzave të tjera. Ministrja  e Shëndetësisë Manastirliu u shpreh se në vitin 2018, në vendin tonë u zbuluan 708 raste të reja me kancer gjiri.

E ngarkuara me punë e SHBA-së Leyla Moses Ones dhe ambasadori i BE në Tiranë Luigi Soreca, u bënë thirrje të gjitha grave dhe vajzave që të kryejnë mamografi çdo vit, për të pasur mundësinë e diagnostikimit dhe kurimit në kohë të tumorit në gji.

Sopranoja shqiptare me famë Botërore Ermonela Jaho do të zhvillojë më 22 Tetor një koncert bamirësie në Tiranë, në favor të gjitha grave të prekura nga kanceri i gjirit./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!