Tetë të arrestuar në Tiranë, policia jep detaje

schedule11:32 - 23 Janar, 2021

schedule 11:32 - 23 Janar, 2021

Policia ka arrestuar tetë persona gjatë orëve të fundit të akuzuar për vepra të ndryshme penale. Tre prej tyre ishin shpallur në kërkim kombëtare.

Sipas policisë së kryeqytetit në pranga ka rënë Blerim Levonja, 34 vjeç, i ekstraduar nga Gjermania, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e ka dënuar me 3 vjet e 4 muaj burg, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Njoftimi i plotë:

Kapen dhe ndalohen 3 shtetas, të shpallur në kërkim kombëtar.

Arrestohen në flagrancë dhe 5 shtetas të tjerë për vepra të ndryshme penale.

Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjesisë ligjore nga Strukturat e DVP Tiranë u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve :

Nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve u bë ekzekutimi për shtetasin Blerim Levonja, 34 vjeç, i ekstraduar nga Gjermania, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e ka dënuar me 3 vjet e 4 muaj burg, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.1, bënë ekzekutimin e urdhërit të Prokurorit për shtetasin në kërkim A. S., 43 vjeç, banues në Tiranë, sepse Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar me 2 muaj burg, për veprën penale “Dhuna në familje”.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vorë, u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasin në kërkim D. K., 28 vjeç,  sepse Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka bërë revokimin e pezullimit të dënimit, duke e dënuar me 4 muaj burg, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të pa rregullt”.

——-

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit S. B., 29 vjeç, banues në Tropojë, sepse tek sheshi “Karl Topia”, u kap duke drejtuar mjetin me leje drejtimi e dyshuar falsifikuar, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve A. K., 31 vjeç (i dënuar më parë për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”) dhe L. D., 34 vjeç, pasi në lagjen nr.5, Kavajë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë dëmtuar xhamat e dritareve të lokalit si dhe kanë tentuar të djegin lokalin e shtetasit B. Rr. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit A. K., iu gjet e iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi farash lëndë e dyshuar narkotike e llojit canabis sattiva.

Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve :

  • F. R., 56 vjeç dhe A. L., 53 vjeç, pasi u kapën në flagrancë duke drejtuar mjetet përkatese në gjendje të dehur.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë, për veprimet e mëtejshme.