8 marsi i grave të mërzitura në PD. Një kritike ikën, një besnike qëndron.
Gruaja më e besuar e Berishës, Albana Vokshi, pasi u ndje e ofenduar në parlament nga Taulant Balla për një numër, mori mbështetjen e Partive Popullore Europiane, seksioni i grave, nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale.
Në fakt, Albana Vokshi është vetë zv.presidente e kësaj organizate. Madje në reagim është futur si pjesë edhe një rezolutë e propozuar nga ajo në PPE për dënimin e dhunës ndaj grave edhe në Shqipëri.
Por, nëse reagimi publik dënon fjalorin e socialistit Balla, rezoluta nuk është bërë sot, por 4 muaj më parë. Kjo rezolutë e propozuar nga Vokshi daton më 9 dhjetor 2025, në një kohë kur ai që fyente gratë e politikës shqiptare, brenda dhe jashtë parlamentit, ishte vetë kryetari i Albana Vokshit, Sali Berisha.
“Po mbroni vithet e Belindës.”
Ndaj dhe atëherë kjo rezolutë ka kaluar pa shumë zhurmë, për ta shfaqur në momentin e duhur.
Por një tjetër, pikërisht në ditën e grave, zgjodhi me kritika të largohet nga PD.
Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Jola Hysaj, pasi tentoi të bëhet deputete dhe Avokate e Popullit, thotë se problemi fillon nga hierarkia, dhe në PD hierarkia më e lartë fillon me Berishën e mbyllet me një rreth vetëm burrash. Por jo vetëm kaq:
“Problemi themelor mbetet mungesa e hapjes reale brenda Partisë Demokratike. Një parti politike duhet të jetë hapësirë debati, ideje dhe përfaqësimi. Sot, fatkeqësisht, ajo funksionon brenda një rrethi të ngushtë njerëzish, ku shpesh mungon respekti minimal jo vetëm ndaj bazës, por edhe ndaj vetë strukturave dhe hierarkisë së saj.”
Por në ditën e grave, lajmi më i keq erdhi për Gazment Bardhin. Shoqatat e grave, të cilat pak ditë më parë e mbrojtën nga dhuna e Zegjine Çaushit, i kërkojnë parlamentit t’i tërheqin veshin për fjalorin ndaj grave socialiste.
Bardhi: Me kë flet ti mo, i pafytyrë, je mësuar me ato kurvat e partisë tënde ti
Fitorja e gazit zgjati vetëm 3 ditë. Atij përfundimisht nuk i ecën me gratë./abcnews.al


