Tetë fitore për brazilianin, Sylvinho mes më të mirëve në historinë e Kombëtares

schedule18:36 - 8 Shtator, 2024

schedule 18:36 - 8 Shtator, 2024

Trajneri Sylvinho ka pak më shumë se një vit e gjysmë në drejtimin e Kombëtares së Shqipërisë, por në këtë kohë relativisht të shkurtër, ai ka vendosur emrin e tij mes trajnerëve më të suksesshëm në historinë e kuqezinjve.

Në fakt, të dhënat statistikore thonë se ai është aktualisht më i suksesshmi i Kombëtares shqiptare.

Fitorja ndaj Ukrainës përforcon edhe më shumë statistikat e trajnerit, i cili ka regjistruar 8 fitore, 4 barazime e 5 humbje në stolin e Shqipërisë në 17 ndeshje.

Kësisoj, ai është unik pasi rezulton se ka një përqindje fitoresh me Shqipërinë prej 47%, një vlerë relativisht e lartë duke llogaritur se askush me më shumë se 5 ndeshje të drejtuara në stolin e kuqezinjve, nuk ka një mesatare që i afrohet.

De Biazi mban vendin e dytë me 38.89% të ndeshjeve me fitore dhe Zhega të tretin me 38.46% dhe këto shifra të brazilianit bëhen edhe më shumë domethënëse, duke llogaritur se 5 nga fitoret janë në ndeshje zyrtare.

Arritja e numrit 8 të fitoreve në stolin kuqezi, e ka bashkuar “numrin 1” të pankinës së “Kuqezinjve” me të ndjerin Josip Kuze, i cili kishte arritur po këtë numër në pankinën e Shqipërisë gjatë drejtimit të tij në 24 ndeshje të zhvilluara.

Tani përpara tekniku Sylvinho ka vetëm 3 trajnerë, me objektivin e radhës që është shifra e 10 sukseseve të Briegel, teksa pak më të shkëputur janë Reja me 14 fitore dhe De Biasi me 21 të tilla. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!