Testohet votimi elektronik, Celibashi: Pajisja 100% e sigurtë, garantohet fshehtësia e votës

schedule12:21 - 18 Prill, 2023

schedule 12:21 - 18 Prill, 2023

ELBASAN– Në tre bashki, përkatësisht në Kamëz, Vorë dhe Elbasan do të votohet elektronikisht në zgjedhjet e 14 majit.

Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi garantoi nga Elbasani se pajisja siguron 100 % fshehtësi të votës, ndaj edhe ftoi qytetarët të mos hezitojnë të votojnë më 14 maj.

“Nga pikëpamja e sigurisë dhe garancisë së fshehtësisë së votës, kjo pajisje ka garanci 100%. I ftoj votuesit e këtyre 3 bashkive të marrin pjesë e të votojnë pa hezitim, pa qenë në dyshim se vota e tyre do të jetë e njohur ose e bërë publike. Pajisja dhe sistemi ofron të gjitha garancitë. Nga ana tjetër pajisja është shumë e thjeshtë, për të gjitha kategoritë e votuesve. Lehtëson procesin e votimit, qytetarët në këto tre bashki do verifikojnë se procesi është shumë i thjeshtë.” tha Celibashi, ndërsa shtoi se pajisja elektronike, shmang fenomenin e votimit familjar.

“Pikërisht këtë fenomen e ndalon ky sistem, para makinës mund të paraqitet vetëm një votues, që do të ndihmohet nga një përfaqësues teknik. Kemi sjellë në Elbasan në tre pika, në Kamëz 2 dhe në Vorë një, për të krijuar mundësi votuesve të familjarizohen. Ftoj partitë të nxisin qytetarët për të ardhur e për të testuar përdorimin e pajisjes. Rezultatin paraprak mund ta shpallim brenda 30 minutave nga momenti që mbyllet votimi” vijoi Celibashi.

Sa i përket një sulmi të mundshëm kibernetik, Celibashi u shpreh se pajisjet janë 100% të sigurta.

“E rikonfirmoj sigurohet fshehtësia e votës 100%. Siguria është më e madhe me votimin me këtë pajisje se sa me fletën e votimit. Janë 100% të sigurta nga sulmet kibernetike, nuk janë të lidhura në rrjet me internet. Një raport printohet me printerin që është i lidhur me pajisjen dhe ka vulat përkatëse. Përdorimi është shumë i thjeshtë, nuk kërkohet kualifikim i posaçëm. Sfidë mbetet rekrutimi i operatorëve.” u shpreh më tej Celibashi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!