Testi i Gjuhës Shqipe doli 30 minuta pas nisjes së provimit, Ministria e Arsimit: Po vlerësojmë situatën

schedule17:33 - 7 Qershor, 2021

schedule 17:33 - 7 Qershor, 2021

Rreth 34 mijë maturantë në të gjithë vendin po i nënshtroheshin provimit Gjuhës Shqipe dhe letërsisë, kur teza e tij doli në rrjetet sociale.

Pavarësisht se rregullorja iu ndalon telefonat në klasë nxënësve dhe administratorëve gjatë testit varianti A  i tij u fotografua dhe u shpërnda në “Facebook” rreth gjysmë ore pas fillimit të provimit.

Ishte eksperti për arsimin në Partinë Demokratike, Ndriçim Mehmeti ai që e publikoi ndërsa maturantët pasi mbyllën provimin treguan disa prej pyetjeve.

“Në mos të gjitha, pyetjet ishin me fragmente. Nuk komunikuam me njëri-tjetrin, procesi ishte shumë rigoroz”, thotë një nga maturantët.

Testi sipas gjimnazistët të “Ismail Qemalit” në Tiranë  ishte i nivelit mestar, por nuk munguan as pyetjet e vështira.

“Pak i vështirë, tek klasa ime nuk ka pasur komunikime”, thotë një tjetër maturante.

“Mirë nuk ishte shumë i vështirë, por nivel i përballueshëm”, u shpreh një nga maturantet.

Pas daljes së tezës reagimi i Ministrisë së Arsimit ishte se po vlerëson situatën. Ky është provimi i dytë i maturës shtetërore. Më datë 11  maturantët do ti nënshtrohen testit të matematikës ndërsa me 15 qershor atij të lëndëve me zgjedhje.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!