Hetuesit kanë përcaktuar se një kafkë e zbuluar në vitin 1978 në murin e një shtëpie në Illinoi i përkiste një adoleshenteje nga Indiana e cila vdiq mbi 150 vjet më parë, thanë zyrtarët të enjten.
Sipas të dhënave nga zyra e mjekut ligjor të qarkut Kane, kafka u gjet ndërsa pronari i një shtëpie në qytetin Batavia po bënte rinovime. Në atë kohë policia hapi hetime por pa sukses dhe kafka u dërgua në një magazinë të një muzeu të qytetit Batavia.
Në mars të vitit 2021, mbikëqyrësit e muzeut e zbuluan kafkën gjatë një inventari dhe e dërguan atë në zyrën e mjekut ligjor të policisë.
Laboratorët Othram në Teksas, të cilat bashkëpunojnë me organet e rendit, ishin në gjendje të ndërtonin një profil të ADN-së së gjetur në kafkë që sugjeronte se i përkiste Esther Granger-it, një gruaje 17 vjeçare që vdiq gjatë lindjes së bebes në Merriville të Indianës në vitin 1866. Hetuesit e njëjtësuan profilin e ADN-së me stërnipin e zonjës Granger, Wayne Silvar, çka mundësoi konfirmimin e identitetit të saj.
Kafka u varros në Batavia në muajin gusht me shpenzimet e qytetit.
Është e paqartë se si kafka përfundoi në qytetin Batavia. Të dhënat tregojnë se ajo u varros në Lake County të Indianës. Mjeku i qarkut Kane, Rob Russell, spekuloi në një njoftim për shtyp se grabitësit e varreve mund ta kenë nxjerrë trupin e saj për t’ia shitur mjekëve që kërkonin të mësonin më shumë rreth anatomisë së njeriut./voa