Tesla shënon rënie për herë të parë pas 4 vjetësh

schedule09:11 - 3 Prill, 2024

schedule 09:11 - 3 Prill, 2024

Tesla regjistroi rënie tremujore të dërgesave për herë të parë në thuajse katër vjet, duke zhgënjyer vlerësimet e Wall Street – tregues që efektet e shkurtimeve të çmimeve po dobësohen, ndërkohë që shtëpia automobilistike po lufton kundër rritjes së konkurrencës dhe kërkesës më të ulët.

Aksionet e Tesla ranë me 5.7% në fillim të tregtimit, duke iu shtuar humbjes së vlerës prej thuajse 30% të regjistruar këtë vit.

Shtëpia automobilistike me vlerën më të lartë në botë dërgoi rreth 386.810 makina në tre muaj deri më 31 mars, në rënie prej 20.2% krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Në periudhën e analizuar, Tesla prodhoi 433.371 makina.

 

Sipas 18 analistëve të anketuar nga Visible Alpha, Wall Street priste që Tesla të dërgonte mesatarisht 454.200 automjete.

Dërgesat e shtëpisë automobilistike elektrike u tkurrën me 8.5% krahasuar me një vit më parë. Hera e fundit që Tesla pati regjistruar rënie të shitjeve ishte në tremujorin e dytë 2020, kur pandemia Covid-19 detyroi shtëpinë automobilistike të ndalte prodhimin.

Kompania deklaroi se rënia e vëllimit vjen pjesërisht për shkak të përpjekjeve për të përgatitur fabrikën në Fremont në Kaliforni që të rrisë prodhimin e Model 3 të azhurnuar dhe mbylljes së fabrikës në Berlin, si rezultat i devijimeve të dërgesave të shkaktuara nga konflikti në Detin e Kuq.

Tesla është përballur me konkurrencë të fortë në Kinë nga aktorët vendas, duke përfshirë liderin e tregut BYD, i cili ka lënë pas kompaninë amerikane si prodhuesi më i madh i makinave elektrike në tremujorin e katërt dhe hyrjen e re Xiaomi.

Megjithatë, kompania e cila drejtohet nga Elon Musk, ia ka dalë të lërë pas BYD, që ka shitur rreth 300.000 makina elektrike me bateri gjatë tremujorit.

Tesla dërgoi 369.783 Model 3 dhe Model Y dhe rreth 17.000 njësi të modeleve të tjera, duke përfshirë Model S sedan, Cybertruck dhe Model X premium SUV.

Në janar, Tesla paralajmëroi për një rritje të shitjeve “dukshëm më të ulët” këtë vit, pasi është përqendruar në prodhimin e automjetit elektrik të gjeneratës së ardhshme

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!