Prodhuesi i makinave elektrike Tesla do të ndalojë pjesën më të madhe të prodhimit në fabrikën e tij pranë Berlinit për dy javë për shkak të vonesave në dërgesat e pjesëve për shkak të sulmeve ndaj anijeve në Detin e Kuq.
Vonesat e transportit në Detin e Kuq, të shkaktuara nga sulmet e militantëve Houthi të mbështetur nga Irani, kanë bërë që Tesla të pezullojë shumicën e prodhimit në fabrikën e saj gjermane nga 29 janari deri më 11 shkurt.
Prodhuesi i makinave, shefi ekzekutiv i të cilit është Elon Musk, ka thënë se pauza mund të çojë në mosndërtimin e rreth 5,000 deri në 7,000 makinave.
Ndërprerja në rrugën e rëndësishme të transportit për në Mesdhe, e cila ka detyruar kompanitë të përdorin rrugën alternative dhe shumë më të gjatë rreth skajit jugor të Afrikës, ka filluar të ndikojë në tregtinë globale, e cila shënoi rënie 1.3% në dhjetor.
Prodhuesi amerikan i automjeteve elektrike është kompania e parë që njoftoi një ndërprerje të prodhimit për shkak të zhvillimeve.
Disa kompani, duke përfshirë Geely, prodhuesi i dytë më i madh i makinave në Kinë për nga shitjet, dhe kompania suedeze e arredimit të shtëpisë IKEA, kanë raportuar vonesa në dërgesa.
Sulmet e rebelëve Houthi ndaj anije tregtare kanë detyruar kompanitë kryesore të transportit të shmangin Kanalin e Suezit, rrugët më të shpejtë detare nga Azia në Europë.
/abcnews.al