Dortmund është gati për duelin me Manchester City. Edhe pse verdhezinjtë kanë shfaqur probleme në ndeshjet e fundit, trajneri Edin Terzic karikon djemtë e tij përpara sfidës së parë të raundit çerekfinal të Champions League.
“Jemi të zhgënjyer nga ndeshjet e fundit që kemi luajtur në Bundesligë, kritikat janë plotësisht të justifikuara, por e kemi cilësinë për të ndryshuar për mirë situatën. Do të synojmë të kualifikohemi në raundin tjetër.
E dimë që Manchester City konsiderohet si një nga skuadrat më të forta në botë, një gjë e tillë i bën duelet ndaj tyre edhe më interesante. Skuadra e Guardiolës është e zhdërvjellët, ndryshon shumë edhe gjatë ndeshjes.
Ata bëjnë shumë presing, e përdorin qarkullimin e topit për të lodhur kundërshtarët dhe për t’i goditur më pas në hapësirat që krijojnë. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të zgjuar për t’u bllokuar hapësirat.
Kam edhe një kërkesë për skuadrën: duhet të jemi efektivë dhe të saktë në duelet një kundër një. Le të mos e ekzagjerojmë me driblimet dhe topat e humbur, pasi e kanë aftësinë për të na dëmtuar“, deklaroi Terzic. /abcnews.al