I dyshuari kryesor për organizimin e sulmeve terroriste në 2015 në Francë nuk pranoi të flasë gjatë për një gjykatë në Bruksel në një seancë kundër tij. Salah Abdeslam u mbrojt duke thënë se drejtësia belge nuk I trajton mirë muslimanët.
“Muslimanët trajtohen në mënyrën më të keqe të mundshme, ku nuk supozohet pafajsia, por nuk kam frikë nga ju dhe aleatët tuaj. Kam besim në Zot”. Kështu është shprehur Salah Abdeslam gjatë procesit gjyqësor kundër tij në Bruksel, ku gjykohet për një ngjarje me të shtëna armësh kundër policisë ndërsa po përpiqej të arratisej në lagjen Molenbeek. Sëbashku me bashkëpunëtorin e tij, Sofian Ayari, 24 vjeç, akuzohen për posedim të armëve të paligjshme dhe vrasje e mbetur në tentativë të oficerëve të policisë në një kontekst terrorist. Nëse shpallen fajtorë, të pandehurit rrezikojnë deri në 40 vite burg.
Abdeslam refuzoi t’iu përgjigjej pyetjeve të gjykatësve. “Heshtja ime nuk më bën mua kriminel apo fajtor”, është shprehur ai duke mos pranuar as të ngrihet në këmbë kur i’u kërkua nga trupi gjykues. “Dëshiroj që të mos i përgjigjem pyetjeve”, shton 28-vjeçari duke nënvizuar se është lodhur nga trajtimi që i është bërë. “Më është kërkuar të vij, erdha. Ka një proces ku jam përfshirë. Më akuzojnë prandaj jam këtu. Dua të qëndroj në heshtje dhe kjo heshtje nuk më bën mua fajtor apo kriminel. Për këtë ka prova të prekshme dhe shkencore në dosje dhe unë dua të gjykohem në sajë të tyre sepse muslimanët gjykohen pa mëshirë, nuk ka prezumim të pafajësisë për ta”, tha Abdeslam në sallën e gjyqit.
Në vend të tij është përgjigjur dhe avokati mbrojtës Sven Mary. Ndërkohë, Abdeslam është I dyshuari kryesor për organizimin e sulmeve terroriste në Paris në nëntor të 2015 ku humbën jetën 130 persona dhe qindra të tjerë mbetën të plagosur. Pavarësisht këtij fakti, nuk do të dërgohet në Francë për gjykim përpara 2019-ës. 28-vjeçari u arrestua pas 4 muajsh nga kryerja e sulmit, në një operacion të gjerë në një banesë të lagjes Molenbeek në Bruksel./abcnews.al