Një sulm terrorist tronditi kryeqytetin austriak mbrëmjen e djeshme, duke lënë të vdekur katër civilë dhe të plagosur 22 të tjerë. Por e gjithë ngjarja pati si protagonistë edhe tre shqiptarë, terroristi Kujtim Fejzullahi, viktima Nexhip Vrenezi dhe heroina Doruntina Miroci, e cila luftoi përkrah policisë austriake kundër sulmeve terroriste.
Kujtim Fejzullahi është 20-vjeç, qëlloi në drejtim të civilëve, duke lënë të vdekur katër prej tyre. Ai u vra më pas nga autoritetet austriake. Sipas raportimeve të mediave austriake, Fejzullahi me rrënjë shqiptare ishte simpatizant i organizatës terroriste ISIS dhe pak para sulmit, u betua për besnikëri ndaj kreut të ri të policisë terroriste të ISIS-it, Abu Ibrahim al-Hashimi al-Quraishi.
Edhe një prej viktimave të këtij sulmi është nga Maqedonia e Veriut. Sipas raportimeve të mediave maqedonase bëhet fjalë për Nexhip Vrenezin, 21 vjeç. Ai dyshohet se u qëllua për vdekje në momentin kur kishte dalë nga lokali ku po pinte kafe, për të ndezur një cigare.
Për vdekjen e 21 vjeçarit ka shkruar edhe ish-politikani, Bardhyl Mahmuti. “Pas aktit të mbrëmshëm terrorist në Vjenë, një numër mediash vunë në fokus faktin se autori që kreu këtë akt ishte Kujtim Fejzullai, me origjinë shqiptare nga Maqedonia (nga fshati Çollopek, komuna e Bërvenicës)”, shkruan ai.
Ndërsa heroina e gjithë kësaj ngjarjeje të tmerrshme është kosovarja Doruntina Miroci. Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj, ka njoftuar se mbesa e tij është njëra nga policet që mbrëmë në Vjenë kanë luftuar me terroristët rrugëve të kryeqytetit austriak.
“Krenar me mbesën time Doruntina Miroci, e cila ka luftuar përkrah policisë austriake kundër sulmeve të tmerrshme terroriste në Vjenë. Bashkë mund të qëndrojmë të fortë”, ka shkruar ai në Twitter./mv.abcnews.al