Policia e Fierit ka arrestuar 5 persona, të cilët kanë lidhje me sherrin e mbrëmjes së kaluar i cili nisi në Levan dhe përfundoi në urgjencën e spitalit të Fierit. Gazetarja e ABC News në Fier tregon atë çfarë ndodhi brenda korridoreve të spitalit.
E gjitha nisi nga një shikim i egër. Dhe dy grupe të rinjsh u përfshinë në dhune me njëri-tjetrin në mes të një lokali të Levanit.
Ata njiheshin, por diçka nuk u pëlqeu se si u panë. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së shtunës.
Bilanci nga ky sherr ishte 4 të plagosur, me drunj Aldi dhe Gentjan Zhapa kurse me thikë Erlind Mucaj dhe Klajdi Lamaj.
Konflikti ndodhi mes vëllezërve Braçe dhe Zhapa. Katër të plagosurit u dërguan nga të afërmit për ndihme mjekësore, por si rrallëherë agresioni vazhdoi edhe aty.
Dy të dëmtuarit me thikë transportohen të parët drejt repartit kirurgjik. Aldi dhe Gentjan Zhapaj po ttrajtoheshin në mjediset e urgjencës. Aleksandër Zhapa ndodhej pranë djemve të tij kur mbërrijnë në urgjencë vëllezërit Braçe. Njëri prej tyre Gazmendi e sulmon 51 vjeçarin me shkelma dhe grushte, kurse vëllai tjetër Danieli i rrëmben armën policit dhe qëllon mbi të.
Pas kësaj vëllezërit Brace largohen nga mjediset e spitalit, ndërkohë që policia bën ndalimin e të gjithë të plagosurve që ndodhen në spital. Gazmend dhe Daniel Braçe u arrestuan në orët e para të mëngjesit të së dielës.
Të arrestuar janë gjithashtu Aldi dhe Aleksandër Zhapa dhe Erlind Muçaj. Zhapaj dhe Muçaj akuzohen për vrasje me dashje të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.
Për vëllezërit Brace, vrasjes në tentativë i shtohet edhe akuza e goditjes për shkak të detyrës së punonjësit të policisë. Hetimet vazhdojnë për përsona të tjerë të përfshirë në ngjarje.
Gazetare e ABC News, Fier: Valbona Daci

