Në emisionin “Real Story” në ABC News, Pastor Paulin Vilajeti komentoi zhvillimet e fundit lidhur me projektligjin për barazinë gjinore, duke sjellë në vëmendje perspektivën e tij si përfaqësues i komunitetit të krishterë.
Ai theksoi rëndësinë e traditave dhe vlerave kombëtare në edukimin e fëmijëve dhe shprehu shqetësim për atë që e konsideron ndikim të ideologjive në sistemin arsimor. Vilajeti theksoi se nuk beson në barazi gjinore, por në barasvlerë gjinore, duke theksuar dallimet natyrore mes gjinive, por njëkohësisht duke pranuar vlerën e secilit individ.
“Unë jam shqiptar i krishterë dhe i theksoj këto gjëra për shkak sepse kur Perëndia më ka krijuar nuk më ka krijuar rastësisht sepse ne kemi disa tradita, doke dhe zakone, të cilat unë besoj se duhet të jenë me patjetër thelb i kombit tonë. Në këto tradita doke dhe zakone, ne gjithmonë jemi përpjekur që t’i edukojmë fëmijët tanë me një lloj edukate që brenda ka vlerat. Unë jam një njeri që e kam thënë që unë nuk besoj në moral, por në vlera. Unë nuk e çoj fëmijën tim në shkollë që ai të mësoj ideologji të ndryshme.
Mjerisht shkollat sot janë kthyer në një vend ku mësohen ideologji të ndryshme, se sa ata shkojnë për të mësuar. Kur ka filluar shkolla, ka nisur vetëm për këtë gjë, që t’u jepeshin fëmijëve ideologji që ishin të përcaktuara nga ata që donin që fëmijët të kishin ideologji. Unë nuk jam as i djathtë dhe as i majtë, unë jam i krishterë, jam Pastor dhe nuk do të doja kurrë që të talleshin me njerëzit.
Për mua është turp që të vendoset një ligj ku shkruhet “gjithëpërfshirës” dhe nesër nëse vjen e djathta në pushtet të thuhet që ka vetëm mashkull e femër. Unë nuk besoj se ka dhe do të ketë barazi gjinore. Unë besoj në barasvlerë gjinore. Kështu është. Një euro është 96.5 lekë. Por është euro dhe është lek. Kanë të njëjtën vlerë, është e njëjta gjë. nuk mund të jetë i barabartë kurrë një femër me një mashkull. Mendon se brezat nuk do ndryshojnë?”, tha Pastor Paulin Vilajeti.

