Tërmeti në Turqi/ Banorët të detyruar të qëndrojnë në serra: Nuk kemi ku të jetojmë

schedule12:45 - 18 Shkurt, 2023

schedule 12:45 - 18 Shkurt, 2023

Gati dy javë pas tërmetit tragjik që goditi Turqinë jugore, shumë njerëz të zhvendosur ende po luftojnë për të përmbushur nevojat bazë, kryesisht për ushqim dhe strehim.

Qeveria turke thotë se të paktën 56 mije ndërtesa janë të pabanueshme, të shkatërruara ose shumë të dëmtuara dhe të listuara për prishje pas tërmetit të 6 shkurtit.

Në to jetonin mbi 225 mijë familje. Nuk ka ende një shifër zyrtare për numrin e njerëzve të zhvendosur në rajonin e fatkeqësisë, ku jetojnë rreth 14 milionë njerëz, ose 16% e popullsisë së Turqisë.

Në Samandag dhe Sutasi, fshatra bujqësore pranë bregut të Mesdheut në Hataj, banorët u larguan nga shtëpitë e tyre të dëmtuara në serra të mëdha. Vendasit thanë se rreth 2000 njerëz tani jetojnë aty nën mbulesat plastike.

Shumë prej tyre kishin humbur jo vetëm shtëpitë, por edhe bagëtinë.

“Ne nuk kemi asnjë vend tjetër ku të jetojmë, Pas tërmetit nuk ka mbetur asnjë shtëpi. Këtu nuk ka tenda,” tha një prej banorëve.

Fshatarët, shumë prej të cilëve janë pjesë e familjeve të mëdha, kanë vendosur soba me dru brenda serave për të gatuar ushqimet e shpërndara nga agjencitë e ndihmës.

“Nuk kemi rroba të pastra. Është shumë e vështirë të jetosh këtu. Nuk ka uje e banjë. Nuk kemi asgjë. Është si të jetosh në ajër të hapur,” tha një tjetër.

Fermerët që tani janë strehuar në serra sakrifikuan një pjesë të të korrave të ardhshme që do të sillnin të ardhura më vonë gjatë vitit.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!