Tërmeti në Korçë, prefekti: Mos guxoni ta përdorni situatën për fushatë

schedule18:20 - 6 Qershor, 2019

schedule 18:20 - 6 Qershor, 2019

Prefekti i Korçës Dhori Spirollari në mbledhjen e shtabit të emergjencave deklaroi se nuk do të lejojë abuzime me vlerësimet e dëmeve për familjet e prekura nga tërmeti. Ndërsa kryebashkiaku Sotiraq Filo, tha se vlera e dëmit në shtëpitë e shkatërruara në këtë bashki shkon deri në 250 milionë lekë të reja.

Në mbledhjen e radhës së shtabit të Emergjencave Civile, prefekti i Korçës Dhori Spirollari ka bërë paralajmërim të fortë për komisionet e vlerësimit të dëmeve, të cilët do të përgjigjen para ligjit, nëse guxojnë të përdorin situatën për përfitime politike.

 “Askush nuk duhet të guxojë të bëjë vlerësime të gabuara të dëmeve për fushatë elektorale, bindje politike apo çdo përfitim tjetër”.

Nga ana tjetër, prefekti i kerkoi Bashkisë së Korçës dhe Kolonjës të marrin me analizë rastet e përplasjeve të raportuara në Floq dhe Qafëzez dhe të marrin masa ndaj punonjësve që kanë abuzuar me detyrën.

Sipas raportimeve të fundit rezultojnë 121 shtëpi të dëmtuara plotësisht, 65 prej tyre në Floq, 34 në Qafëzez dhe 22 në Vidohovë.

Në një deklarate për mediat kryetari i bashkisë së Korçës Sotiraq Filo tha se vlera paraprake e përllogaritur nga komisioni i ekspertëve varion nga 200 deri në 250 milionë lekë të reja për dëmet e shkaktuara kryesisht në fshatin e Floqit, por edhe në fshatra të tjerë të kësaj bashkie.

Filo tha se shumë shpejt do të fillojnë punimet për rindërtimin e shtëpive dhe në të njëjtën kohë do të përmirësohen kushtet e familjeve që kanë mbetur pa strehë. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!