Tirana është një ndër qarqet, ku tërmeti i së shtunës shkaktoi dëme të shumta. Disa familje kanë mbetur në qiell të hapur. Ne takuam tre prej tyre, që po jetojnë në një qendër sociale, pasi shtëpitë u janë bërë të pabanueshme.
Tërmeti i 21 Shtatorit i ka lënë pa një strehe mbi kokë. Tre familjet nga Yrsheku, Sauku dhe fshati Pezë Helmes i Tiranës i takuam në qendrën sociale në Kombinat.
Majlinda Koni dhe nëna e saj 87-vjeçare e paralizuar na tregojnë se kjo dhomë tashmë mbetet e vetmja çati për ta. Shtëpia e ndërtuar gati 60 vite më parë është e pabanueshme.
Naim Myftari nuk ka lëvizur nga qendra që të shtunën pasdite kur grupi i emergjencës e ka nxjerrë nga shtëpia. Tensioni që i shkaktoi lëkundja e së shtunës ndjehet akoma i fortë tek Bedrie Mema dhe bashkëshorti i saj.
Në këtë qendër sociale drejtuesit e saj na tregojnë se në mbrëmje mund të sistemohen rreth 40 persona, por për familjarët të cilëve termeti iu shkatërroi shtëpitë qëndrimi këtu nuk mund të vijojë gjatë./ABC News Albania 24/7