Nuk ka qetësi në futbollin turk. Pas skandalit të fundjavës, ku presidenti i Ankaraguçu goditi me grusht arbitrin e ndeshjes, një tjetër ngjarje e rëndë është shënuar menjëherë pas rikthimit në fushë të Superligës, ku Presidenti i skuadrës Istambulspor, Ekmel Faik Sarialoglu ndërpreu sfidën kundër Trabzonspor, duke tërhequr ekipin e tij nga fusha e lojës.
Shkak u bë një penallti e dhënë nga VAR-i, teksa pas rreth 24 orësh nga ngjarja, presidenti Sarioglu theu heshtjen, duke shpjeguar vendimin e tij.
“Përgjegjës për tërheqjen e ekipit nga fusha janë arbitrat dhe Federata Turke e futbollit. VAR-i kishte 5 minuta që shihte episodin dhe nuk merrte dot një vendim, ndaj ndërhyra për të tërhequr ekipin. Mund të na dërgojnë edhe një ligë më poshtë, por nuk ka rëndësi. E rëndësishme është që të ketë drejtësi. Unë vetë jam nga Trabzoni dhe nuk doja që një gjë e tillë të ndodhte në këtë ndeshje, por e kam theksuar gjithmonë që duam drejtësi në fushë. Federata Turke është përgjegjëse dhe ajo nuk jep dorëheqjen, por duhet shkarkuar”,- tha Sarioglu, duke thumbuar presidentin e Federatës Turke të Futbollit.