Gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani, është tërhequr nga gara për anëtar në Gjykatën Kushtetuese. Dvorani është tërhequr nga shprehja e interesit të dy viteve më parë me argumentin se posti i kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi e vendos në konflikt interesi.
Gjyqtari i Gjykatës së Lartë Ardian Dvorani, ka njoftuar tërheqjen nga gara për anëtar i Gjykatës Kushtetuese, vakancë që zgjidhet nga Gjykata e Lartë.
Përmes një letre drejtuar kreut të kësaj gjykate Xhezair Zaganjori dhe zëvendëskryetares së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi Vitore Tusha, Dvorani njofton tërheqjen nga interesi i shprehur thuajse dy vjet më parë, kur në shkurt të 2017-ës kreu i Gjykatës së Lartë shpalli njoftimin publik për thirrjen për kandidim për anëtar të Gjykatës Kushtetuese.
Dy vjet pritje më vonë – shkruan Dvorani – dhe dy konfirmime në detyrë nga organet e vettingut, shorti i Kuvendit emë ngaroi detyrën e funksionit kushtetues të anëtarit dhe kryetarit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për vitin 2019.
Kjo detyrë e re, nisur nga funksioni specifik i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, për verifikimin dhe renditjen e kandidaturave për Gjykatën Kushteuese, në dukje e vendos Dvoranin në kushtet e konfliktit të interesit.
Megjithëse shmangia e këtij konflikti mund të realizohet përmes mospjesëmarrjes së tij në diskutimet, votimet për aktet nënligjore dhe procedurat konkrete përkatëse të Këshillit lidhur me tre kandidaturat e paraqitura në Kushtetuese, Dvorani ka vlerësuar të tërhiqet nga kandidimi.
Sipas gjyqtarit të Lartë, zgjedhja për t’u tërhequr është një veprim dhe angazhim konkret i tij për të ruajtur dhe rritur besimin e publikut në integritetin dhe besueshmërinë e KED.
“Absolutisht parësore përmbushja e detyrës dhe funksionit kushtetues që më është ngarkuar të ushtroj si anëtar dhe kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Prandaj, duke i dhënë përparësi detyrës sime kushtetuese kundrejt së drejtës sime kushtetuese, shpreh vullnetin tim për tërheqjen nga kandidimi për pozicionin vakant të gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese.”/abcnews.al