Administrata amerikane ka ndryshuar qëndrimin e saj kundrejt Turqisë sa i takon mbështetjes për milicitë kurde në veri të Sirisë. Gjatë një vizite në Londër, sekretari i Shtetit, Rex Tillerson, e ka cilësuar “legjitim” shqetësimin e Ankarasë për kthimin e milicive në një forcë sigurie.
Shtetet e Bashkuara kanë vullnet për të bashkëpunuar me Turqinë për t’i dhënë përgjigje “shqetësimeve legjitime” të saj sa i takon situatës në veri të Sirisë. Deklarata është bërë nga sekretari i Shtetit, Rex Tillerson, dy ditë pasi forcat e armatosura turke nisën një ofensivë kundër milicive kurde të mbështetura nga Amerika.
Nga Londra, Tillerson ka thënë se Uashingtoni është i vetëdijshëm për shqetësimet e Ankarasë dhe ka theksuar se është e drejta e saj të mbrohet nga elementët terroristë.
“Ne jemi në kontakt me Turqinë dhe gjithashtu me lidershipin e koalicionit tonë në Siri dhe po u kërkojmë të dyja palëve që të përmbahen”, ka thënë Tillerson.
Shefi i diplomacisë amerikane ka shtuar se Shtëpia e Bardhë i ka propozuar një sërë masash Turqisë dhe faktorëve të tjerë në përpjekje për të stabilizuar situatën. Nga ana e saj, Ankaraja zyrtare ka ritheksuar se Shtetet e Bashkuara duhet të ndërpresin mbështetjen për milicinë kurde YPG, të cilën e konsideron organizatë terroriste, dhe jo ta kthejne ate në një forcë sigurie.
“Nëse ata duan të bashkëpunojmë, ne jemi gati. Por hapi i parë i bashkëpunimit duhet të jetë ndërprerja e mbështetjes për grupet terroriste dhe rimarrja e armëve që u janë dhënë”, ka deklaruar zëvendës kryeministri i Turqisë, Bekir Bozdag./abcnews.al