Tërbimi i serbëve dhe presioni i madh, “dardani” Ilija Ivic ka një mesazh

13:36 | 26/02/202013:360

Presion i madh nga tabloidët e Beogradit për futbollistin e ri, Ilija Iviç, i cili ka pranuar ftesën për të luajtur me përfaqësuesen e Kosovës. Nëna e tij është pushuar nga puna në Graçanicë

Është 17 vjeç dhe presioni është ndoshta tepër i madh për moshën. Ilija Iviç, futbollist me prindër serbë, i lindur në Graçanicë të Kosovës, është nën trysni të madhe pas ftesës së marrë për të qenë pjesë e përfaqësueses së shtetit të tij. Tabloidet e Beogradit nuk kanë lënë asnjë dyshim për opinionin e tyre e padyshim për ndikimin në publikun serb.

“Shpërthen bomba, – shkruan “Blici”, – ai është serbi i parë që do të veshë uniformën e përfaqësueses së futbollit të të ashtuquajturës Kosovë”! “Turp dhe marre, – titullon “Srbija Danas”, – ky është serbi i parë që luan për përfaqësuesen e shtetit të gënjeshtërt të Kosovës”.

“Çfarë tronditjeje, – është versioni “Kuririt”, – serbi pranon të luajë për përfaqësuesen e të ashtuquajturës Kosovë”. “Futbollisti që duhet të luajë për Kosovën, shkakton emocione të forta në Serbi, – tregon “Espreso”, – ai nuk duhet ta kishte bërë në asnjë mënyrë këtë, pikërisht tani, ai po përgatitet për në ferr”!

Studioja e Beogradit, e televizionit “N1”, informon se kërcënimet dhe ofendimet nuk kanë munguar as në rrjetet sociale. Gjithsesi, Ilija duket se nuk i jep shumë rëndësi kësaj, ndërsa flet për “N1”-in.

“Presioni është i madh, por unë këtë e kam marrë sportivisht dhe e përballoj nëpërmjet futbollit. Dua që të eci përpara, të tregoj në fushë sesa vlej dhe që puna ime të vlerësohet. Përsa i përket politikës, në përgjithësi nuk dua që të komentoj. Mendoj thjesht që të eci përpara dhe të luaj futboll. Kaq”.

Ilija Ivic dhe ambasadori italian në Kosovë, Nicola Orlando

Këtë gjë duan edhe prindërit e Ilijas, siç e thotë edhe nëna e tij, Tanja, e cila ka mbetur pa punë. Ajo ka marrë vendimin për largim nga Qendra Kulturore Arsimore e Graçanicës, që është pjesë e sistemit të Serbisë. Jo zyrtarisht thuhet se shkaku është pranimi i ftesës nga djali i saj për të luajtur me Kosovën.

“Me të vërtetë e kam pak të vështirë të flas për këtë. Gjithsesi, unë deklaroj se nuk kemi bërë asnjë gabim. Nuk e di se përse më largojnë dhe përse njerëz të tjerë mund të punojnë në sistemin e institucioneve këtu, ndërsa unë jo. E përsëris se nuk kemi bërë asnjë gabim. Duam të mbështesim maksimalisht djalin tonë. Ky është sport, nuk është politikë”.

Presioni është i madh edhe për Dushanin, babanë e Ilijas, që punon si mësues. Ilija Iviç e ka nisur futbollin në klubin e Flamurtarit të Prishtinës, që kur ishte fëmijë i vogël dhe tani është pjesë e skuadrës së parë. Arbnor Morina, drejtori sportiv i klubit, e vlerëson shumë 17-vjeçarin, edhe si lojtar, edhe si njeri, ndërsa fton që të ngatërrohet sporti me politikën. Siç e thotë Morina, sporti përmban vlera universale, dhe askush nuk mund ta marrë në pronësi. /abcnews.al


Për t’u bërë pjesë e grupit klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI ABC NEWS ALBANIA: https://www.facebook.com/groups/AbcNewsAlbaniaGroup

Lini koment

E-maili nuk do te publikohet. Duhen plotesuar *


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono