Myrto Uzuni mposhti koronavirusin dhe u rikthye në fushë në duelin që Ferencvarosi i tij luajti me Juventusin në Champions League mbrëmjen e së mërkurës. Bardhezinjtë fituan 1-4 në Hungari, teksa sulmuesi i kombëtares shqiptare debutoi në turneun e më të mirëve.
25-vjeçari nga Berati u fut në fushë në minutën e 80-të dhe u shfaq protagonist te goli i vetëm i Ferencvaros. Uzuni realizoi ëndrrën e tij për të luajtur kundër idhullit Cristiano Ronaldos, duke zbuluar për Panorama Sport një detaj interesant rreth yllit portugez.
Si ishte ndjesia të kishit në krah lojtarët e Juventusit nëpër korridore, para ndeshjes? – Si ta them. Habi… Përshtypje të bënte që në momentin kur i pashë të vinin, të dilnin në fushë ata lojtarë që unë gjithmonë i kam ndjekur vetëm nëpërmjet televizorit. Dhe ishte një ndjesi e veçantë ideja që unë do kisha mundësinë të luaja pikërisht kundër tyre.
Çfarë ju bëri më së shumti përshtypje? – Ajo që më befasoi më tepër ishte, si të thuash, uria e Ronaldos. Në ç’kuptim? – Humbi një rast dhe bërtiste sikur të kishte ndodhur vërtetë diçka e madhe. Ishte vetëm fillimi i ndeshjes, mbase minuta e dytë, ai goditi jo mirë një top dhe u çmend fare. U inatos shumë”, thekson Uzuni. /abcnews.al