Policia në Shkodër ka vënë në pranga tre persona që tentuan të trafikonin lëndë narkotike në drejtim të Malit të Zi.
Operacioni njoftohet se është zhvilluar nga shërbimet operacionale të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Grabom dhe me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër.
Puna ka nisur bazuar në inteligjencën informative se disa shtetas po transportonin me automjet, një sasi lënde narkotike, në drejtim të PKK Grabom, me qëllim trafikimin e saj, nëpërmjet kufirit jeshil, në drejtim të Malit të Zi.
Në kuadër të këtij operacioni, u lokalizua automjeti i dyshuar ndërsa drejtuesi i automjetit ka tentuar të largohet dhe ka hedhur çantat me lëndë narkotike, në rrugë. Por, siç bëhet e ditur, ai është neutralizuar nga shërbimet e Policisë.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
R.M., 24 vjeç (drejtuesi i automjetit), R. M., 28 vjeç dhe O. S., 21 vjeç, të tre banues në Bajzë. Po ashtu, bëhet e ditur se në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 21.5 kg kanabis, automjeti me të cilin po transportohej lënda narkotike dhe 3 aparate celulare. /abcnews.al/


