Një person është arrestuar për tentativën e grabitjes mbrëmjen e djeshme në Roskovec. Ai është një 26-vjeçar nga Vlora, Elis Bushi i dënuar më parë për veprat penale “Plagosje” dhe “Vjedhje me dhunë”. Tre anëtarët e tjerë të bandës së hajdutëve janë në kërkim.
Por si u kap vlonjati?
Policia thekson se si rezultat i rrethimit në një perimetër të gjerë të zonës dhe kontrollit përgjatë natës dhe paradites së sotme, u kap 26-vjeçari me automjetin tip “Nisan”, ku gjatë kontrollit të mjetit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: një kapuç, maskë, një fenelinë dhe një radio si ajo e policisë, tre aparate celularë, një trapan, pesë copë fishekë arme gjahu, veshjet të dyshuara të përdorura në kohën e ngjarjes.
Gjithashtu, nga kontrolli i ushtruar në banesën e tij janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale: Një armë gjahu, shtatë fishekë arme gjahu, një thikë metalike, tre radio si ato të policisë. Mbrëmjen e djeshme katër hajdutët tentuan të vjedhin banesën e 65-vjeçarit, Arben Çepele, por u pikasën nga pronari dhe kushëriri i tij që reaguan. Hajdutët qëlluan me armë duke plagosur kushëririn e pronarit 47 vjeç, i cili është në spital./ db/ Abcnews.al