Ky është 31 vjeçari Imer Krrashi i cili tentoi t’i shpëtoj policisë gjatë një kontrolli pas informacioneve se ky shtetas qarkullonte me armë zjarri pa leje.
Burime sqaruan për ABC News se Imer Krrashi, përdorte edhe emrat Imer Masha dhe Imer Uka. Ai është emër i njohur pasi njihej si “i forti i Niklës” dhe është akuzuar më parë për vjedhje me dhunë, kanosje, mosbindje dhe plagosje e lehtë. Krrashi përfundoi në prangat e bluve të kryeqytetit, ndërsa të dëmtuar mbetën 9 automjete dhe 1 motor.
Drejtuesi i motoçikletës, një punonjës policie jashtë shërbimit, po udhëtonte së bashku me bashkëshorten nga Liqeni Thatë në drejtim të zonës së Tegut, kur u përplas nga Krrashi dhe për pasojë përfundoi përpara një tjetër mjeti që u përfshi në aksident. Dy të lënduarit ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.
31-vjeçarit iu gjet në makinë arma për të cilën forcat Shqiponja kishin dyshime që në momentin që e ndaluan.

