Tentoi të vidhte një furgon në Vlorë , arrestohet në flagrancë 23-vjeçari nga Kosova.
Gjatë kontrollit fizik iu gjet një armë e ftohtë (thikë), e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Si rezultat i reagimit të shpejtë dhe punës së pandërprerë për parandalimin dhe zbardhjen e rasteve të vjedhjes, si dhe për kapjen e autorëve të tyre, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë bënë të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasit G. P., 23 vjeç, banues në Pejë, Kosovë.
Ky shtetas u kap më datë 10.03.2026 , rreth orëve të para të mengjesit, në lagjen “24 Maji”, në momentin që po tentonte të vidhte një automjet tip furgon. Ndërhyrja e menjëhershme e shërbimeve të Policisë bëri të mundur kapjen e tij në flagrancë dhe parandalimin e vjedhjes.
Gjatë kontrollit personal, shërbimet e Policisë i gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një mjet prerës (thikë).
Nga veprimet hetimore të kryera rezulton se i njëjti shtetas dyshohet të jetë autor edhe i një vjedhjeje tjetër, të ndodhur më datë 06.03.2026, ku është marrë një shumë parash në një lokal në lagjen “10 Korriku”, në qytetin e Vlorës.
Policia vijon punën për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje dhe për verifikimin e përfshirjes së këtij shtetasi edhe në raste të tjera vjedhjeje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Vlorë për veprat penale “Vjedhja” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.


