Një 48-vjeçar në Lushnje është vënë në prangat e policisë, pasi u kap në tentativë për të vjedhur një automjet.
“Ditën e djeshme, në lagjen “Çlirimi”, shtetasi G. K. synonte të vidhte një automjet tip “BMW”, duke ndërhyrë në centralinën e tij. Shtetasi u konstatua nga pronari i automjetit dhe menjëherë u kap nga shërbimet e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Lushnjë që po patrullonin në zonë”, njofton policia.
Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë kryen arrestimin në flagrancë të shtetasit G. K., 48 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja”, mbetur në tentativë
Gjithashtu, vijojnë hetime për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të ketë kryer 48-vjeçari. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme./abcnews.al

