Enkelejd Alibeaj propozoi sot katër prioritete të grupit të Partisë Demokratike për sesionin e ri parlamentar: Reformën Antikorrupsion; Kërkesa për ne GJK për bordin e naftës; Paketa ekonomike-energjitike; Lista e 4 aferave.
Në një konferencë për gazetarët, teksa u pyet nëse ka pasur tentativa për të komunikuar me pjesën tjetër që drejtohet nga Sali Berisha, ai u shpreh i bindur se këto tre prioritete të shpalosura sot i bëjnë bashkë demokratët.
Lexo edhe: Alibeaj mesazh të hapur Sali Berishës: PD do të forcojë marrëdhëniet me Britaninë dhe SHBA
Alibeaj pranoi se çoroditja e opozitës, siç e quan ai përçarjen në selinë blu i ka shërbyer Edi Ramës dhe se për prioritetet e propozuara sot nuk duhet të ketë ndasi mes tyre.
“Ajo se çfarë u deklaruar këtu ishin prioritete parlamentare të veprimtarisë së grupit të PD. Nuk dua të ngelem pas me të shkuarën. Çoroditja e opozitës ia ka bërë të lehtë Ramës të bëjë përshesh. Duhet të kalojmë në akte dhe veprime. Ato që na bëjnë bashkë besojmë ne janë këto prioritete.
Aksioni politik është ai që na bën bashkë. Këto janë çështje që do të konkretizohen. Aty secili do të mbajë qëndrimin e vet. Për ne që kemi rënë dakord për këtë çështje ajo që na bën bashkë janë këto çështje. Kam përshtypjen se për këto çështje nuk ka asnjë dallim dhe ndasie mes nesh”, u shpreh ai.
Lidhur me nismën e Partisë Socialiste për ndryshime në ligjin e dekriminalizimit, me qëllim pastrimin e politikës nga ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit. Alibeaj tha se kjo çështje ka qenë gjithnjë e PD-së dhe se shumë shpejt do të depozitojnë të plotë lustracionin.
“Çështja që e thatë e përmbledh lustracioni. Kanë qenë historikisht të filluara nga PD. Nëse janë penguar disa episode, janë penguar nga PS dhe vetë Rama. Ne kemi paketën tonë të dekomunistizimit. Ajo do të jetë çështja që ne do ta mbështesim të gjithë. Kjo është ajo që mund t’ju them lidhur me lustracionin. Përdorimi i lustracionit për lojëra të vogla politike është shërbimi më i keq që i është bërë kësaj çështje. Është nevojë e shoqërisë dekomunistizimi.
Po e përsëris edhe njëherë çështjet e dekomunistizimit janë të PD, historikisht ka ndodhur kështu. Ne kemi depozituar tre iniciativa. Ajo që kemi është edhe lustracioni. Të thirrur për të mbështetur iniciativat tona janë të gjithë. Shumë shpejt do ta depozitojmë edhe lustracionin të plotë”, u shpreh Alibeaj. g.v/abcnews.al