Tensionet te Kryesia e Kuvendit/ Korreshi: S’kishim zgjidhje tjetër, do detyrojmë mazhorancën të na dëgjojë

schedule13:38 - 7 Nëntor, 2023

schedule 13:38 - 7 Nëntor, 2023

Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi thotë se situata ditën e hënë në ambientet e jashtme të Kryesisë së Kuvendit, u agravua pasi deputetët e opozitës nuk u lejuan që të hynin brenda.

Në një intervistë për ABC News, Korreshi u shpreh se deputetët nuk kishin zgjidhje tjetër, përveçse të bënin veprime të tilla si ngjitja në kangjella apo në dritare, edhe pse vetë nuk preferoi t’i  bënte.

Sipas tij, opozita do të përdorë të gjitha mënyrat, që mazhoranca ta dëgjojë, lidhur edhe me krijimin e komisioneve parlamentare.

“Vendimet i marrin të gjithë kolegët deputetë, jemi të gjithë aktorët e situatës. Është një turp që ka mbuluar parlamentin dhe është një rikthim në diktaturë për mbylljen e derës për deputetët. Është fatkeqësi e madhe që trajtohen si zyra private. Ne nuk jemi punëtorët e Lindita Nikollës, por jemi të zgjedhur nga 650 mijë shqiptarë. Asnjë deputet nuk duhet të ndalohet që të ushtrojë aktivitetet e tij. Për të hyrë rregullisht në zyra, nuk ka asnjë lloj kufizimi. Ky është absurditeti i më i madh. Po pse, protestë ishte ajo? Protestë është t’i vije zjarrit, t’i hyje me gurë ose me vezë. Unë jo se dështova, por kisha frikë se bija dëshmor, dhe dëshmor për Linditën nuk është mirë të biesh sot. Do ta bëj prapë, absolutsht. Por çfarë duhet të bëjmë ne, të presim rrogën deri në fund të muajit dhe kaq? Lindita të vendosë për kryetarin e Grupit Parlamentar, Lindita të vendosë se kë do marrim në komision, shoku Rama të bëjë gjithë këto marrëveshjet që nuk i kalon në komision, në qeveri, këtë të bëjmë? Neni 77 i Kushtetutës, është detyrim që me kërkesë të 35 deputetëve të krijohen komisionet hetimore. Kaq kërkojmë. Ne po kërkojmë zgjidhje.

Unë nuk e di, varet sipas bindjes politike, mund të jesh i turpëruar apo i karikuar. Ata qytetarë që kam takuar unë dje, absolutisht thonë; o burra kur do të vijë dita ta zhdukim këtë monstër që po na çon në diktaturë. Më në fund, opozita po gjallërohet dhe është kompakte, ishin mësuar ta shikonin në tresh.

Nuk është e vërtetë që kjo ka nisur në momentin që ka pasur probleme me drejtësinë zoti Berisha. Kjo ka nisur shumë më herët. Ne do të detyrojmë me patjetër mazhorancën, të zbatojmë kushtetutën ligjin, me të gjitha mënyrat, duke filluar nga ajo institucionale, qytetare, por ideja është që kur mbaron argumenti, kur tallet me argumentin dhe shtetin e së drejtës, përgjigjemi me të njëjtën monedhë”, theksoi ai.

I pyetur nëse Agron Shehaj do të krijojë parti të re, Korreshi tha: “Unë i uroj gjithë të mirat, mirë se ta hapë. Unë shpresoj dhe mendoj se do të mbetet opozitar. Kjo nuk do të thotë se është gjë e mirë. Absolutisht mund të jetë e mirë për të, por ne na duhet vota e një njeriu që nuk përfshihet kurrë në politikë, e jo më një njeriu që ka qenë i angazhuar. Për mua, i uroj gjithë të mirat, por është i mirëpritur në PD”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!