Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç deklaroi ditën e sotme se nuk do të marrë pjesë në takimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që është thirrur nga Brukseli. Ai shtoi se pret që kryetarët e komunave të japin dorëheqjen dhe njësitë speciale të Kosovës të tërhiqen nga veriu.
“Unë e konsideroj të pakuptimtë të flas me një person që nuk është i gatshëm të flasë”, tha Vuçiç.
Ai theksoi se për shumë vite është përpjekur të ruajë paqen dhe stabilitetin në çdo mënyrë.
“Vendi ynë dha gjithçka. Pavarësisht nëse dikujt i pëlqen ta dëgjojë apo jo, këto janë fakte dhe të dhëna. Sado të mundohemi të jemi një partner serioz dhe i përgjegjshëm, jemi në rrugën europiane, por asnjëherë nuk na kanë parë kështu. Nëse nuk vepronim në kërkesën e tyre pa kushte dhe pa diskutim, ne ishim fajtorë.“, tha ai.
Vuçiç nuk kurseu as sulmet ndaj EULEX-it, të cilët i quajti “gënjeshtarë”.
“E dini se çfarë thotë atje? Pra asgjë. Ata ndoqën formën burokratike. Ata vërtet nuk i interesojnë serbët. Kurti po krijon një situatë kriminale, mendova se po e bënte i vetëm, por tani e di që po e bën me mbështetjen e disa partnerëve perëndimorë. “Ai keqtrajton të gjithë qytetarët e kombësisë serbe. Dhe pastaj na thonë të mos ndërhyjmë, EULEX-i po e ndjek. Çfarë jeni duke ndjekur gënjeshtarët?“, tha ai./abcnews.al