NATO ka deklaruar se po i përcjell me shumë seriozitet ngjarjet në veri të Kosovës të ditëve të fundit. Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu shkroi se KFOR-i po i merr të gjitha masat e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt ndërsa shton se palët duhet të respektojnë detyrimet e tyre.
“NATO i merr shumë seriozisht ngjarjet në veri të Kosovës. KFOR po merr të gjitha masat e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, siç autorizohet me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Zbatimi i mandatit nga KFOR është i palëkundur, siç dëshmohet edhe me dislokimin e 500 trupave shtesë.
Ne edhe një herë u kujtojmë të gjitha palëve detyrimet e tyre sipas Marrëveshjes Ushtarako-Teknike, përfshirë respektimin e vijës kufitare administrative, procedurave për Policinë e Kosovës dhe marrëveshjen e vitit 2013 për dislokimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në veri. Këto obligime janë për të siguruar veprim të koordinuar, për të shmangur përshkallëzimin, për të ruajtur dhe siguruar mjedis të sigurt”, ka shkruar zëdhënësja./abcnews.al