Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi thotë se nuk është koha e duhur për të pasur një votëbesim ndaj qeverisë së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Në një intervistë për ABC News, Krasniqi u shpreh se fillimisht duhet që Kurti të ndërrojë kursin e tij ndaj partnerëve ndërkombëtarëve, në lidhje me situatën në veri.
Sipas Krasniqit, opozita në Kosovë nuk i ka numrat për rrëzimin e qeverisë së drejtuar nga Kurti.
“Është pak problematike sepse unë nuk e shoh si moment të duhur një kërkesë të tillë, sepse është shmangie e vëmendjes, është ndryshimi i temës dhe kontekstit. Ne duhet të jemi të qartë që sot ballafaqohemi me një rrezik që Kosova nuk e ka pasur asnjëherë dhe që nuk lidhet me përshkallëzimin e situatës në veri, por me rrezikimin e marrëdhënies ekzistenciale, më qenësore, më strategjike, më të shenjtë që ka Kosova në raport me SHBA dhe Perëndimin në përgjithësi. Ne duhet të kërkojmë nga zoti Kurti të ndërrojë kursin, të kthejë në binarët ku ka qenë Kosova në raportet e veta ndërkombëtare dhe me aleancat e saj.
Të merremi më pas me pasojat e këtyre veprimeve aventuriere të cilat nuk janë të reja, e kanë karakterizuar zotin Kurti që nga fillimet e ekzistencës së tij politike, sidomos kur ka qenë në opozitë, por për fat të keq të vendit tonë, edhe tani që është kryeministër. Nuk kam diskutuar me zotin Haradinaj më shumë për çështjen e një mocioni. Por nga përvojat e kaluara mund t’ju them se mocionet ngrihen kur ka një siguri të kalimit të tyre, dhe për fat të keq, opozita në Kosovë, në përbërjen aktuale parlamentare, nuk ka mjaftueshëm numra për të pasur siguri për suksesin e këtij mocioni”, theksoi ai./abcnews.al