Bashkimi Evropian ka thënë të hënën se është i gatshëm të organizojë takim të nivelit të lartë, në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, por, sipas bllokut, për diçka të tillë duhet krijuar kushtet. Kështu ka deklaruar të hënën zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke komentuar takimin e mundshëm në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.
“Natyrisht, ne jemi gjithmonë të gatshëm të jemi mikpritës të takimit në nivel të lartë, në kuadër të dialogut mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq, kur të ketë kushte, dhe kur të dy ata të pajtohen për diçka të tillë. Por, në këtë fazë, gjëja më e rëndësishme është që të ulen tensionet në terren dhe të ndërmerren hapa konkretë. Dhe pikërisht për këtë, ne e kemi të dërguarin e posaçëm të BE-së [Mirosllav] Lajçak. Ai pasi të jetë në Prishtinë dhe Beograd, do të raportojë te Përfaqësuesi i Lartë, [Josep] Borrell, e Përfaqësuesi i Lartë do t’i njoftojë vendet anëtare, për të vendosur për hapat e mëtejmë” ka thënë Stano.
Lajçak dhe i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, vizitojnë të hënën Kosovën dhe të martën Serbinë, me qëllim të uljes së tensioneve të ditëve të fundit në veri të Kosovës.
“Ata shkojnë për të vazhduar punën në zbatimin e thirrjeve evropiane dhe amerikane për Kosovën dhe Serbinë që të ulin menjëherë tensionet dhe të ndërmarrin hapa për zgjidhje të qëndrueshme. E platforma për këtë zgjidhje të qëndrueshme është gjithsesi në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë mes tjerash Stano.
Serbët lokalë janë duke vazhduar protestat në tri komunat në veri të Kosovës, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç, edhe më 5 qershor. Ata po protestojnë rregullisht prej 29 majit, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale.
Më 29 maj, në Zvçan, serbët lokalë janë përleshur me pjesëtarë të KFOR-it, duke rezultuar me të plagosur në të dyja anët. Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për marrjen e hapave drejt uljes së tensioneve. Disa diplomatë kanë kërkuar edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri. Zyrtarë të lartë të Kosovës kanë dhënë shenja se mund të ndodhë diçka e tillë./REL