Në ditën e tetë të vendosjes së barrikadave nga serbët e veriut, në shenjë proteste për vendimin e Qeverisë së Kosovës lidhur me reciprocitetin me shtetin serb situata vijon që të jetë e tensionuar. Analisti Nexhmedin Spahiu e shikon si “lojë” nervash dhe që në fund i fituar do të dalë i duruari.
“Është një “lojë” nervash. Ai që është më shumë i qëndrueshëm do ta fitojë. Ai që nuk do të bjerë në provokime do ta fitojë këtë “lojë”. Avionët dhe tanket nuk ma merr mendja që do të futen në Kosovë. Vucic nuk është aq trim sa Millosheviçi dhe aq budalla sa të provojë një gjë tillë. Edhe sikur të mos jetë KFOR, policia dhe ushtria janë të motivuar. Shpresoj që gjithçka të zgjidhet me dialog dhe frymën e “Ballkanit të Hapur”. Lëvizja e Kurtit e ka bërë nervoz Vuçiç, pasi i ka demaskuar nismën e “Ballkanit të Hapur” tha ai.
Si do të mbyllet historia? Nexhmedin Spahiu kërkon që Edi Rama të marrë rolin e negociatorit, duke shkuar në Beograd, ose të thërrasë presidentin Vuçiç në Tiranë, pasi Shqipëria sipas tij është i vetmi vend në rajon që nuk ka probleme direkte me Serbinë.
“Besoj që çështja duhet të zgjidhet me dialog, por “loja” e nervave do të vazhdojë. Prisja që Edi Rama të bënte një vizitë në Beograd, ose të ftojë Vuçiç në Tiranë për të biseduar, pasi kjo situatë dëmton edhe marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Serbisë, pasi turistët serbë që do të shkojnë në plazhet shqiptare, tani jemi në vjeshtë, por sikur kjo të zgjasë, do të jetë e komplikuar dhe raportet, prandaj është në interes të Shqipërisë që të rregullohet si çështje. Shqipëria është i vetmi vend që Serbia nuk ka probleme në rajon, po edhe Maqedonia. Mbetet roli i Shqipërisë, si vend që nuk ka probleme direkte me Serbinë që të negociojë një zgjidhje çfarë është në frymën e ‘Ballkanit të Hapur’” tha ai.
Mesazhin e Edi Ramës sot nga Prishtina i lavdëroi. “Ishte konstruktiv dhe i duhuri, e ka thënë më të mirën që mund të thoshte një kryeministër i Shqipërisë dhe si rrallë herë më duhet ta lavdëroj. U deklarua se Prishtina ka të drejtë, por ai duhet ta thotë këtë edhe në bisedë me Vuçiç. Një gjë që më bëri përshtypje nga Rama, faktin që mos përfshirjen e Kosovës në “Ballkanin e Hapur” ja linte sentimentit, plagët e hapura. Mendoj që duhet tejkaluar dhe e mbështes, por nuk e kupton problemet praktike të Kosovës me Serbinë” tha ai./ db/Abcnews.al