Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani vlerëson se bashkëpunimi dhe dialogu i hapur ndërmjet institucioneve dhe partive politike janë thelbësore për t’i përballuar sfidat aktuale dhe për të punuar së bashku drejt arritjes së synimeve të përbashkëta.
Zyra e Presidentes njofton se gjatë takimit me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka këmbyer pikëpamjet në raport me zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në vend.
“Presidentja ka vlerësuar se bashkëpunimi dhe dialogu i hapur ndërmjet institucioneve dhe partive politike janë thelbësore për t’i përballuar sfidat aktuale dhe për të punuar së bashku drejt arritjes së synimeve të përbashkëta që përfshijnë mbrojtjen e tërësisë territoriale, sovranitetit dhe kushtetutshmërisë si dhe fuqizimin ndërkombëtar të Republikës, sikurse edhe në përmbushjen e prioritetit tonë shtetëror, anëtarësimin në NATO dhe BE”, citohet në komunikatë të ketë thënë Osmani.
Sipas këtij njoftimi, presidentja ka shprehur keqardhje që partitë e tjera opozitare kanë refuzuar mundësinë që ta japin kontributin e tyre për çështje të interesit nacional, përfshirë përpjekjet për fuqizimin e aleancave strategjike e ekzistenciale të Republikës së Kosovës me partnerët, e në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ajo ka ritheksuar, se në përputhje me Kushtetutën do të vazhdojë të angazhohet në përfaqësimin e unitetit qytetar, mbrojtjen e kushtetutës, ruajtjen dhe fuqizimin e aleancave strategjike, sikurse edhe krijimin e një klime konstruktive për t’i adresuar sfidat dhe çështjet e rëndësishme në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Sipas presidentes Osmani, kontributi i secilit lider dhe subjekti politik është të bashkëpunojë për çështje të rëndësisë nacionale me institucionet shtetërore, por jo duke refuzuar. Pavarësisht kësaj, presidentja Osmani ka bërë të ditur se dera e zyrës së saj vazhdon të jetë e hapur për liderë institucionalë dhe parti politike, në funksion të mbrojtjes së interesit shtetëror.