Tensionet në veri, Nurellari bën përgjegjës Kurtin: Po rrezikon stabilitetin e Kosovës, liberalizimi i vizave kushtëzohet nga mungesa e dialogut

schedule19:40 - 9 Dhjetor, 2022

schedule 19:40 - 9 Dhjetor, 2022

Anëtari i kryesisë së PDK-së, Adri Nurellari në një intervistë me Skype për emisionin Radar Informativ në Abc me moderatoren Fabiola Hoxha foli për situatën aktuale në veri të Kosovës. Ai drejtoi gishtin drejt kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se është përgjegjës për situatën në të cilën ndodhet Kosova.

Kemi pritur një marrëveshje finale. Kurti ka mundësitë për këtë gjë sepse ka shumicën dërrmuese në parlament. Serbia është në një pozicion të brishtë si pasojë e dështimit të Rusisë në Ukrainë. Ka vëmendje të shtuar ndërkombëtare. Kurti ka pasur mundësitë për të siguruar një marrëveshje sepse kushtet e brendshme dhe të jashtme janë të favorshme por është i papërgjegjshëm dhe është përpjekur të shmanget nga dialogu.

Është hipokrite duke ditur se dhe qeveritë e mëparshme janë rrëzuar si pasojë e dialogut. Që në fillim i është shmangur përgjegjësisë për të çuar përpara dialogun. Një gafë e madhe që iu fut një aventure për çështjen e targave sepse ka shkaktuare një dëm dhe e ka nxjerrë veriun jashtë kontrollit.”, u shpreh ai.

Më tej, Nurellari shtoi se me veprimet e tij Kurti ka dëmtuar dialogun dhe ka rrezikuar stabilitetin e Kosovës. Sipas tij, dhe çështja e liberalizimit të vizave po kushtëzohet nga mungesa e dialogut.

“Dhe herën e kaluar në takimin në Çeki, kur panë përshkallëzimin me targat vendosën ta shtynin vendimin kështu që duhet qartazi që këto çështje janë të kushtëzuara nga sjellja e papërgjegjshme e Kosovës kundrejt dialogut. Marrëveshja është e madhe ndërkohë që targat është çështje periferike. Në shtyp po përflitet se zgjedhjet do të shtyhen dhe qesharake del qeveria që e çon deri në pikën e vlimit dhe tërhiqet.”, shtoi Nurellari.

Më tej, ai shtoi se nuk ka kuptim nëse mbahen zgjedhjet e rregullta pasi mund të bojkotohen nga serbët. Çfarë do të ndodhë më tej sipas tij? “Do të zbrapset Kurti, do t’i thonë ndërkombëtarët se është sjellje e papërgjegjshëm. Është një film që e kemi parë thjesht ka vonuar uljen në tavolinë për marrëveshjen.“, u shpreh Nurellari./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!