Analisti Edvin Kulluri i quan aventureske veprimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me situatën e tensionuar në veri.
Në një intervistë për ABC News, Kulluri u shpreh se me këto veprime, Kosova nuk ka të ardhme, por rrezikon të të kthehet në vatër konflikti mes Lindjes dhe Perëndimit.
“Albin Kurti erdhi në pushtet për shkak se partitë tradicionale që dolën nga lufta, ishin parti të cilat krijuan një problem me qeverisjen dhe korrupsionin në vend, edhe me lidhjet e krimit. Albin Kurti jo vetëm që nuk i ka luftuar këto fenomene, por ka përkeqësuar edhe atë element të qeverisjes që ka të bëjë drejtpërdrejt sigurinë kombëtare të Kosovës dhe me agjendën e saj për njohje ndërkombëtare, që fillon nga njohja reciproke me Serbinë. Po ta vendosim këtë marrëdhënie në kontekstin e luftës në Ukrainë dhe një acarim mes Kinës, Rusisë, SHBA dhe botës perëndimore, ju kuptoni se sa e rrezikshme është kjo që po ndodh në Kosovë.
Kjo ka vetëm një përgjegjës, kryeministrin e Kosovës, i cili nuk ka përgjegjësi vetëm për Kosovën, por ka një përgjegjësi më të gjerë, pasi fut në lojë aktorë antagonistë të NATO-s, SHBA dhe hapësirës shqiptare, siç është Republika Popullore e Kinës. Me këto aventura të Albin Kurtit, Kosova, jo vetëm nuk ka të ardhme, por rreazikon të kthehet në “mollën” e sherrit dhe në një vatër konflikti mes Lindjes dhe Perëndimit në mes të Evropës”, theksoi ai./abcnews.al