Eksperti i sigurisë, Adrian Shtuni në një lidhje live nga Uashingtoni për “Special Report” me gazetarin Arlind Isa tha se kriza në veri të Kosovës mund të ishte shmangur. Ai theksoi se veprimet e serbëve janë të dënueshme ndërsa kritikoi qëndrimin e Albin Kurtit duke mos dëgjuar aleatët ndërkombëtarë.
“Ishte një krizë e shmangshme, veprimet e disa qarqeve serbe janë të dënueshme, dihet që kërkojnë destabilizim dhe situatë sabotuese ndaj shtetit të Kosovës dhe duhet të dënohen shumë qartë, në të njëjtën kohë edhe ata që kanë krijuar probleme duke sulmuar KFOR-in. E thashë që kjo ishte diçka e cila duhet të ishte shmangur sepse ishte paralajmëruar. Edhe zotit Kurti i ishin dhënë këshillat se si të sillej, por vendosi të mos i dëgjojë dhe pati një kosto që e pamë, duke refuzuar qasjen mbështetëse të SHBA dhe aleatëve të tjerë. A vërtet mendonte Kurti se nuk do të ndodhte kjo lloj krize dhe përshkallëzimi? Apo mendoi se ky përshkallëzim do të ishte një kosto e pranueshme për një qëllim që duhet të artikulojë.“, u shpreh eksperti.
Eksperti theksoi se veprimet e qeverisë së Kosovës kanë bërë që ndërkombëtarët të kalojnë nga qasja kushtëzuese tek ajo kërcënuese dhe se është e nevojshme të ndryshojë. Sipas tij, sa më shpejt ta kuptojë Kosova se nuk ka rrugëdalje pa plotësuar kushtet nga BE, aq më mirë do të jetë për të.
“Po ta shikoni edhe Borrell në fjalinë e fundit thoshte se do të ketë pasoja të rënda. Për mua kjo është shqetësuese edhe pse qasja ka shkuar nga kushtëzuese në kërcënuese. Këtu e ka çuar vendin qasja aktuale dhe duhet të ndryshojë. Sa i përket zgjedhjeve, e kam thënë edhe më parë se qeverisja nuk është qëllim në vetvete. Këta kryetar komune janë zgjedhur ligjërisht por nuk kanë legjimitet. Nëse je i shqetësuar për qeverisjen, duhet kryetarë komune që janë zgjedhur nga një përqindje më e madhe që të qeverisin. Në radhë të parë të ulen tensionet, protestat të ndalojnë që të ketë normalizim të situatës, të vazhdohet me marrëveshjen e Ohrit dhe strumbullari është asociacioni. Nuk ka asnjë rrugëdalje nga këto lloj obligimesh, sa më shpejt të kuptohet aq më mirë do të jetë për Kosovën.”, përfundoi eksperti./abcnews.al