Tensionet në Nagorno-Karabakh/ Baku nis operacionet kundër terrorizmit, 6 të vrarë

schedule14:00 - 19 Shtator, 2023

schedule 14:00 - 19 Shtator, 2023

Azerbajxhani ka nisur “operacionet lokale kundër terrorizmit” në rajonin e Nagorno-Karabakut, shumica e banorëve të të cilit janë armenë, njoftoi ministria e mbrojtjes e vendit, në atë që tha se ishte një përpjekje për të rivendosur rendin kushtetues në enklavë.

“Në kuadër të këtyre masave, me ndihmën e armëve me precizion të lartë, u neutralizuan pozicionet e forcave të armatosura të Armenisë, si dhe instalimet ushtarake në vijën e frontit dhe territorin e enklavës,” tha Ministria e Mbrojtjes të Azerbajxhanit.

Ministria theksoi se synon të “çarmatosë forcat e armatosura të Armenisë, të sigurojë tërheqjen e tyre nga territoret tona dhe të neutralizojë infrastrukturën e tyre ushtarake”.

Në të njëjtën kohë, vuri në dukje se po godet kundër objektivave legjitime ushtarake dhe jo kundër civilëve apo infrastrukturës civile si pjesë e përpjekjes së tij për të “rivendosur rendin kushtetues të Republikës së Azerbajxhanit”.

Baku sqaroi se ka informuar forcën paqeruajtëse ruse në rajon, e cila po kontrollon nëse respektohet armëpushimi i vitit 2020, si dhe Turqinë.

Armenia, nga ana e saj, thekson se nuk ka personel ushtarak në Nagorno-Karabakh dhe se prioritetet e saj mbeten humanitare.

Më herët, Baku kishte njoftuar se katër policë azerbajxhanë dhe dy civilë ishin vrarë nga një shpërthim në Nagorno-Karabakh dhe kishte akuzuar separatistët e enklavës si përgjegjës për këto veprime “terroriste ” .

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!