Tensionet në Mesdheun Lindor, Macron: Turqia nuk është më partner i BE-së

schedule18:35 - 11 Shtator, 2020

schedule 18:35 - 11 Shtator, 2020

Presidenti i Francës priti mbrëmë krerët e gjashtë vendeve të BE-së, duke përfshirë edhe rivalin e Turqisë, Greqinë në Samitin e Korsikës, për të gjetur një gjuhë të përbashkët përpara takimit të ardhshëm të BE që do të mbahet këtë muaj.

Macron tha përpara samitit se aleati i NATO-s nuk ishte më një partner në Mesdheun Lindor , shkruan abcnews.al.

Pas bisedimeve me udhëheqësit e Italisë, Maltës, Portugalisë, Spanjës, Greqisë dhe Qipros, Macron tha se udhëheqësit donin të ribashkoheshin në një dialog me Turqinë “me mirëbesim “.

“Na vjen keq që Turqia nuk u është përgjigjur thirrjeve të përsëritura nga Bashkimi Evropian për t’i dhënë fund veprimtarive të saj të njëanshme dhe të paligjshme në Mesdheun Lindor dhe Detin Egje,” tha ai.

“Ne europianët duhet të jemi të qartë dhe të vendosur me qeverinë e presidentit Erdogan, e cila sot po sillet në një mënyrë të papranueshme,” u tha Macron gazetarëve para fillimit të samitit.

Ai tha se për momentin Turqia nuk ishte “më një partner në rajon” për shkak të sjelljes së saj në Mesdheun lindor.

Macron shtoi se Turqia kishte “intensifikuar provokimet në një mënyrë që nuk është e denjë për një shtet të madh. Populli turk është një popull i madh dhe meriton diçka tjetër”.

Por në përgjigje ndaj tij, ministria e jashtme turke i përshkroi komentet e Macron si “arrogante” dhe një shenjë “e dobësisë dhe dëshpërimit të tij”./m.v. abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!