Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan dhe homologu i tij francez Emmanuel Macron kanë zhvilluar një bisedë telefonike të martën në mbrëmje për herë të parë që kur nisën tensionet për mosmarrëveshjet në Mesdheun Lindor. Në një deklaratë, zyra e shtypit të presidencës turke njoftoi se gjatë bisedës Erdogan i tha Macron se Turqia mbron dialogun dhe bashkëpunimin për të zgjidhur problemet.
Në telefonatë, Erdogan tha se arsyeja për tensionet në Mesdheun Lindor është se aktorë të tjerë injorojnë të drejtat legjitime të Turqisë në rajon. Erdogan përsëriti se Turqia nuk cenon të drejtat e vendeve të tjera por nuk do të lejojë askënd të injorojë as të drejtat e saj. Ai shtoi se një zgjidhje mund të vijë vetëm përmes dialogut dhe bashkëpunimit.
Erdoğan gjithashtu i tha Macron se Turqia pret që Franca të shfaqë një qasje “të përgjegjshme dhe konstruktive” dhe se kanalet për konsultim dhe komunikim midis dy vendeve duhet të “vijojnë të funksionojnë vazhdimisht”, sipas deklaratës nga Ankaraja. Përveç Mesdheut Lindor, të dy udhëheqësit diskutuan gjithashtu marrëdhëniet dypalëshe, marrëdhëniet Turqi-BE dhe çështje të tjera rajonale.
Para telefonatës, një zyrtar presidencial francez tha se Macron do të riafirmojë pozicionin francez mbi tensionet midis anëtarëve të tjerë të NATO-s Turqi dhe Greqi pasi Ankaraja të rrisë aktivitetet e kërkimit të hidrokarbureve në det. Franca ka mbështetur fuqimisht Greqinë në një grindje në rritje me Turqinë mbi burimet e hidrokarbureve dhe ndikimin detar në Mesdheun Lindor që ka shkaktuar frikën e një konflikti më të ashpër.
Franca në fund të gushtit kishte vendosur gjithashtu avionë ushtarakë në anën greke të ishullit të Qipros me pretekstin e mbajtjes së një stërvitje me Greqinë dhe Italinë, gjë e cila u kritikua nga Turqia për shkeljen e traktateve të vitit 1960 mbi Qipron. Telefonata vjen pasi Erdogan më herët të njëjtën ditë kishte një videokonferencë me Kancelaren gjermane Angela Merkel dhe shefin e Këshillit Evropian Charles Michel mbi ndalimin e përshkallëzimit të tensioneve dhe nxitjen e dialogut në Mesdheun Lindor./mv. abcnews.al