Tensionet në Kazakistan, presidenti: Trazirat ishin përpjekje për grusht shteti

schedule10:26 - 10 Janar, 2022

schedule 10:26 - 10 Janar, 2022

Presidenti i Kazakistanit , Kasim Tokayev,  këtë të hënë në një prononcim për mediat ka bërë me dije se tensionet brenda vendit lidhen me një tentativë për grusht shteti.

Tokayev ndër të tjera ka komentuar qëndrimin dhe incidentet e javës së kaluar në shtetin e Azisë Qendrore.

“Është bërë e qartë se nën maskën e protestave spontane, një valë trazirash ka shpërthyer me qëllimin kryesor për të minuar rendin kushtetues dhe marrjen e pushtetit,” është shprehur ai.

Ndër të tjera ai ka theksuar se një qendër kishte organizuar demonstrata dhe incidente në Almaty dhe pjesë të tjera të Kazakistanit, duke synuar të pushtonte metropolin kazak dhe të siguronte praninë e tij në jugun e gjerë, për të vijuar në drejtim të kryeqytetit.

Presidenti pranoi se për ca kohë javën e kaluar kryengritësit kontrolluan Almaty (ish-kryeqyteti i Kazakistanit) dhe nëntë qendra të tjera të mëdha urbane në vend.

Tokayev shtoi se autoritetet po punonin për të konfirmuar numrin e saktë të viktimave mes protestuesve, pasi u tërhoq vlerësimi fillestar i 164 të vdekurve, por konfirmoi se 16 anëtarë të forcave të sigurisë tashmë ishin vrarë dhe më shumë se 1,300 të plagosur.

Sipas tij ditën e martë do të bëhet publik edhe përbërja e qeverisë së re, ku këmbëngul se do të vijojnë punën për gjetjen e “terroristëve” që, siç pretendoi ai, shkaktuan ngecjen e javës së kaluar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!