Turqia ka dënuar deklarata e presidentit grek, Propokopis Pavlopoulos duke i cilësuar ato si të dëmshme dhe që ndezin tension mes dy vendeve. Reagimi i Ankarasë vjen pasi Pavlopoulos nënvizoi se Greqia nuk ka territorin që duhej të kishte historikisht.
Vijojnë tensionet mes Ankarasë dhe Athinës për arrestimin e dy ushtarëve grekë, të cilët sipas qeverisë së Aleksis Tsipras, kanë kaluar në territorin turk në mënyrë të pavullnetshme. Ministria e punëve të jashtëme të Turqisë, në dy deklarata të ndryshme i ka bërë thirrje Presidentit grek, Propokopis Pavlopoulos që të përmbahet nga dhënia e deklaratave që mund të rrisin tensione të panevojshme. Gjithashtu është dënuar dhe djegja e flamurit të Turqisë në një demonstratë në Athinë.
Zëdhënësi i ministrisë së jashtme, Hami Aksoy bëri me dije se ka ndjekur me vëmendje deklaratat e kreut të Shtetit grek, i cili ka thënë se “Greqia nuk ka territorin që duhej të kishte historikisht”. “Ne e ftojmë presidentin Pavlopoulos që të respektojë ligjet ndërkombëtare dhe kufinjtë tanë dhe të përmbahet nga retorika, e cila nuk i shkon për shtat pozicionit të tij, dhe që mund të shkaktojë tension të panevojshëm”, u shpreh Aksoy.
Gjithashtu ky i fundit ka kërkuar arrestimin e personave që djegën flamurin turk në Athinë.
Ndërkohë, nga ana tjetër qeveria greke i ka bërë thirrje Organizatës së Kombeve të Bashkuara, NATO-s dhe Bashkimit Europian që t’i ushtrojë presion Turqisë për lirimin e dy oficerëve që u ndaluan me 2 mars. Ata akuzohen nga një gjykatë turke për hyrje të paligjshme në një zonë ushtarake të ndaluar./abcnews.al