Presidenti amerikan thotë se mund të anullojë takimin me homologun rus Vladimir Putin në samitin e G20. Donald Trump thotë se një vendim i tillë mund të merret për shkak të agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës lidhur me përshkallëzimin e tensioneve mes dy vendeve.
Takimi mes presidentit amerikan Donald Trump dhe atij rus, Vladimir Putin, i parashikuar të ndodhë në samitin e G20 që fillon të premten në Buenos Airos, mund të mos zhvillohet. Njoftimi është bërë nga vetë kreu i Shtëpisë së Bardhë, i cili në një intervistë për Uashington Post shpjegon se takimi bilateral mund të anullohet për shkak të tensioneve gjithmonë e në rritje mes Moskës dhe Kievit. Dy liderët do të diskutonin për sigurinë, kontrollin e armëve dhe çështje që kishin të bënin me Ukrainën dhe Lindjen e Mesme.
“Me shumë mundësi nuk do ta zhvillojmë. Por pres raportin përfundimtar lidhur me atë çfarë ka ndodhur me Ukrainën në Detin e Zi. Nuk më pëlqen ky agresion dhe nuk duhet t’i pëlqejë as Europës dhe Gjermanisë”, tha presidenti Trump, i cili me gazetën amerikane ka folur edhe për ekonominë dhe ambjentin.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë riktheu kritikat për drejtuesin e Rezervës Federale, Jerome Powell, për shkak të politikave të rritjes së normave të interest. “Nuk jam aspak i kënaqur që kam zgjedhur Powell në drejtim të Rezervës Federale”, u shpreh ai duke shtuar se ku institucion është në rrugë të gabuar. Gjatë intervistës për Uashington Post, Trump foli edhe për klimën. “Nuk besoj në ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu dhe nuk besoj në opinionin e përkrahur nga shkencëtarët”, thotë Trump, duke refuzuar përsëri konkluzionet e raportit të përpiluar nga vetë administrate e tij. Në këtë raport është dhënë alarmi për pasoja e ngrohjes globale./abcnews.al